Prokuroria nis hetime, Përparim Rama insiston se prona komunale po këmbehet në mënyrë të rregullt

Vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në zonën Prishtina e Re me disa prona private në Badoc, po hetohet nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria ka konfirmuar se ka nisur mbledhjen e informatave, disa orë pasi Ministri Elbert Krasniqi tha se janë vënë në lajthitje nga Komuna. Propozimi për këmbim ka qenë i Kryetarit Përparim Rama. I njëjti sot ka dalë para gazetarëve për ta dhënë versionin e tij. Ai tha se ky proces ka nisur dy vjet para se ai të bëhet kryetar dhe se vetëm po zbaton vendimet e marra më herët nga ministritë. Sipas tij, çdo gjë është në përputhje me ligjin.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mbledhur sot gazetarët për vendimin e marrë nga Kuvendi Komunal, me propozim të tij, për këmbimin e një prone komunale me pronat e dy biznesmenëve, Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli. Biznesmenët më parë kanë qenë klientë të Ramës.

Rama tha se procesi për këmbimin e pronës komunale në zonën Prishtina e Re me pronat e biznesmenëve në Badoc, nuk ka nisur nga ai.  Ai tha se e ka trashëguar këtë proces, si pasojë e vendimeve nga Ministria e Ambientit.

“E kam thirr këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal, duke ju referuar një procesi të këmbimit, proces i cili ka fillu qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, tha Rama.

Ai sqaroi se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se fjalën e fundit për tokën që do të këmbehet do ta thotë Ministria e Financave.

“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një proces  të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e oligon kryeqytetin me vepru…  Ministria e Financave ka me përcaktu sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronave e jo ne”, tha Rama.

Pas dyshimeve për konflikt interesi, Rama u pyet nëse është përkrahur financiarisht nga dy biznesmenët gjatë fushatës për Kryetar të Prishtinës. Ai e mohoi këtë.

E mohoi edhe se ka pasur marrëveshje të fshehtë me Lëvizjen Vetëvendosje për ta kaluar këtë propozim, duke qenë se asamblistët e kësaj partie ia bënë kuorumin duke qëndruar në sallë kur propozimi u hodh në votim.

“Jo, kurrfarë marrëveshje. Absolutisht jo”, ka deklaruar ai.

Gjatë konferencës, Rama theksoi se vendimi i Kuvendit Komunal është validuar edhe nga Ministria  Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri Elbert Krasniqi mbrëmë ka njoftuar se do të ketë rivlerësim të vendimit, derisa ngriti dyshime se janë vënë në lajthitje nga Komuna. Theksoi dyshimet për deklarim të rrejshëm dhe konflikt interesi.

Për këtë çështje, ai tha se i është drejtuar me shkresë Drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxhës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, për të vlerësuar nëse duhet nisur hetime.

“Unë kam lajmëruar drejtorin e Policisë së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe do të shohim nëse ka deklarim të rrejshëm dhe ne jemi vënë në lajthitje. Ka supozime që faktet që janë prezantuar ndryshojnë nga realiteti. Ka elemente të konfliktit të interesit dhe ka dyshime që i referohet një vendimi të Ministrisë së Ambientit i cili nuk qëndron ashtu”, u shpreh Krasniqi në DPT te Fidani.

Për këtë vendim, tashmë është aktivizuar Prokuroria e Shtetit.  Sot ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelemendi ka konfirmuar për Kohën se Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetim parapenal për këtë rast