‘Lufta’ e ministrisë së Haxhiut kundër kontrabandës demaskohet nga Prokuroria

Edhe pse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu na vazhdimësi është krekosur se  po udhëheqë suksesshëm me këtë dikaster dhe ka rritur nivelin e sigurisë në qendra korrektuese, incidente si përleshje e konflikte të ndryshme, drogë e të tjera janë raportuar në burgje.

Në vazhdën e ‘suksesit’ të tyre, së fundmi Shërbimi Korrektues i Kosovës, më 9 janar, ka njoftuar për një rast të parandalimit të futjes së kontrabandës në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, që doli të jetë ndryshe nga ajo që u bë publike.

Sipas njoftimit të SHKK-së, gjatë bastisjes rutinore në sallën e vizitave, stafi për siguri ka zbuluar se në mënyrë të kamufluar nga vizitorët është tentuar të futen mjete monetare, të cilat fillimisht janë sekuestruar.

Paratë që i mbante një grua e moshuar, të mbështjella në çorape, kur shkoi ta vizitonte të birin në burg, SHKK i konsideroi si kontrandë, por një gjë e tillë u demaskua nga Prokuroria.

Pas trajtimit të rastit nga ana e Prokurorit të Shtetit, i njëjti nuk ka dhënë urdhër që të iniciohet hetim, pasi nuk ka pasur elemente që është kryer vepër penale.