Ministri shqiptar i Mbrojtjes në Zagreb: E vlerësojmë mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Zagreb, me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anushiq.

Qëllimi i vizitës është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, adresimi i çështjeve aktuale të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe iniciativave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Peleshi u shpreh se, “Shqipëria dhe Kroacia janë bashkudhëtare në një nga rrugëtimet më të rëndësishme, anëtarësimin në NATO e që këtë vit dy vendet shënojnë 15 vjetorin në NATO, duke qenë krenarë për pozicionin tonë në përmbushjen e detyrimeve për paqen dhe sigurinë tonë të përbashkët”.

Më tej Ministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kroacisë, për rolin e saj të rëndësishëm në Ballkan, për mbështetjen e pakushtëzuar që i ofron vendeve të rajonit në të gjitha proceset integruese euro-atlantike, duke theksuar këtu dhe kontributin e saj për një rajon të sigurt, pa konflikte dhe në paqe.

Ministri Peleshi vlerësoi qasjen e vazhdueshme pozitive të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë ndaj Kosovës, si një mbështetëse e saj në perspektivën evropiane, në anëtarësimin në të gjitha iniciativat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova ka kapacitetet për të kontribuar dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm.