Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar, Kuvendi sot voton qeverinë teknike drejtuar nga Talat Xhaferi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot zgjedh Qeverinë Teknike për herë të parë me një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferin. Mandati i saj do jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij organi ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të mblidhet në seancë për të debatuar mbi programin dhe kabinetin e Xhaferit, ndërsa deri në mesnatë pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike.

Talat Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit. Partia shqiptare në koalicionin qeverisës BDI ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zv.ministrave për qeverinë teknike.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.

Kjo e diel është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar.