“S’ka përparim kundër korrupsionit”, ndërhyrja e Qeverisë në gjyqësor evidentohet ndërkombëtarisht

Transparency International ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka ndërhyrë vazhdimisht në gjyqësor dhe se nuk pati vullnet politik “për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”.

Pushteti e ka nisur me qasjen e njëjtë edhe këtë vit, në fillim të të cilit zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e quajti jokredibile dhe jokompetente Gjykatën Kushtetuese, për të cilën kryeministri Albin Kurti thoshte se po bën “përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.

Transparency International, organizata globale që udhëheq luftën kundër korrupsionit, ka vlerësuar në një raport të fundit se Kosova në vitin 2023 s’ka bërë përparim nga viti paraprak në luftimin e kësaj dukurie.

Kosova është vlerësuar me 41 pikë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, në një metodologji pikësh që zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-ëshi për një vend pa korrupsion.

Transparency International e ka goditur Qeverinë e Kosovës, që sipas vlerësimit të organizatës, ka bërë ndërhyrje të vazhdueshme në gjyqësor.

Pavarësisht prej përpjekjeve të vazhdueshme, TI ka konstatuar se reformat kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit po lëvizin shumë ngadalë.

“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, thuhet në raport.

Gjykatat, dhe specifikisht atë më të rëndësishmen, Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij i kanë sulmuar disa herë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar disa herë Kushtetuesen se po shfrytëzohet nga opozita “për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është akuzuar disa herë se po ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit.