“Jo procesit të kundërligjshëm”, përjashtohet nga puna zyrtari i MINT për Rezerva Shtetërore – akuzon Hajdarin

Zyrtari për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ermal Kutllovci, është larguar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor.

Në vendimin e Komisionit, thuhet se Kutllovci ka bërë sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale para Ministres Rozeta Hajdari dhe menaxhmentit të lartë të Ministrisë, raporton Express.

“Sa ka qenë i pranishëm në takimin në zyrën e Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave të vizituar nga Kabineti i Ministres me zv.Sekretarin e Përgjithshëm, i cili ka kërkuar të diskutojë për çështje të brendshme profesionale që kanë të bëjnë me Departamentin e Rezervave Shtetërore. Gjithashtu e ka potencuar se nuk ka pranuar të nënshkruaj formularin e AKI’së dhe Deklaratën e Konfidencialitetit si dhe ka refuzuar të marr pjesë në komisionin e themeluar me Vendim nga zv.Sekretari i Përgjithshëm i MINT lidhur me rezervat shtetërore”, thuhet në vendim.

“Gjithashtu zyrtari në fjalë me veprimet e tij ka tejkaluar kompetencat duke mos llogaritur Udhëheqësin e Divizionit, Drejtorin e Departamentit të tij, zv.Sekretarin e Përgjithshëm, duke i shkruar e-mail zyrtare Kryeministrit, Ministres së MINT dhe zyrtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar”, thuhet tutje në vendim.

Sipas Komisionit Disiplinor, Kutllovci ka shpërndarë informatat që ka marrë në Zyrën e Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave me menaxhmentin e MINT dhe zyrtarë të tjerë të cilët nuk kanë pasur leje për informata lidhur me rezervat shtetërore.

“Z.Ermal Kutllovci përveç që ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e konfidencialitetit, obligim ky ligjor sipas ligjeve në fuqi, i njëjti informatat që i ka marr gjatë qëndrimit në Zyrën e Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave i ka shpërndarë dhe komentuar me gjuhë kritikuese dhe paragjykuese me menaxhmentin e lartë të MINT dhe zyrtarë të tjerë të cilët edhe nuk kanë pasur leje zyrtare të kenë informata për rezervat shtetërore”, thuhet në vendimin që e ka publikuar vetë Kutllovci.

Këtë vendim, Kutllovci e ka konsideruar si hakmarrje nga Ministrja Rozeta Hajdari.

“U trondita me sjelljen dhe tendencën e Ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve”, ka shkruar Kutllovci.

Ai ka thënë se në një moment Hajdari i është drejtuar duke i thënë “mbylle gojën”.

“Ministrja, Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër z. Daut Latifaj, zv.Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore”, ka shkruar tutje ai.