Latifi: Çifteve të reja në komunën e Rahovecit do t’u dhurojmë banesa

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Laitifi u ka premtuar dje çifteve të reja në këtë komunë banesa për banim.

Ai në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka thënë po ashtu se nga 1 janari i këtij viti, çdo lindje në Repartin e Maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti” do të mbështetet me 500 euro nga Komuna e Rahovecit.

“Ne po synojmë që lindjet normale mos të na ikin diku tjetër. Unë po besoj që 500 euro nuk është një lloj standard i ri, kemi filluar me 200 euro dhe këtë vit është 500. Po ashtu çdo çift i ri që martohet ka me pasur nga një banesë. Veç ende s’kanë filluar ndërtimet, se çifteve të reja që do të martohen në komunë të Rahovecit unë do të ju dhuroj banesa”, theksoi Latifi.

Në këtë seancë, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Rahovecit, Arbnor Mullabazi, bëri të ditur se në vitin 2023 kanë qenë 73 aplikime për leje ndërtimore, 120 për kushte ndërtimore, 32 leje mjedisore dhe 9 leje të pranimit.