Rregullorja e BQK-së, BE i kërkon Kosovës dialog për çështjen e dinarit

Bashkimi Evropian ka dalë me reagim zyrtar lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi që nga sot dhe përmes së cilës parashihet që Euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë. Ky vendim ka rritur shqetësimet e serbëve lokalë, të cilët përdorin dinarin serb.

Përmes një komunikate, BE-ja ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbis, si dhe të gjendet një zgjidhje.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.

BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja“, thuhet në komunikatë.

Nga blloku shprehen të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në deklaratën e BE.