Vendimi për ndalimin e dinarit serb, Hovernier: Kosova rrezikon të përballet me tensione etnike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka folur për media pas takimit të rregullt që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Hovenier tha Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore që e ndalon përdorimin e dinarit serb.

Ai theksoi se duhet të merren veprime të duhura për të siguruar që serbët do të ndihen të sigurt.

Diplomati amerikan nuk dha detaje se çka diskutoi me të parin e qeverisë kosovare.

Hovenier, tha se ky vendim duhet të rishqyrtohet për shkak se sipas tij mund të sjell tensione të reja dhe eskalim të situatës në veri të Kosovës.

“Ne mendojmë që kjo çështje meriton më shumë konsideratë dhe gjithashtu diskutime në tavolinën e dialogut. Shqetësimet tona janë që mund të ketë tensione etnike”, tha Hovernier.

“Nuk e di se mund të shmangen frustrimet nga qytetarët serbë si rezultat i kësaj rregulloreje dhe zbatimit të saj që është sensistive për shqetësimet e tyre. Po ju jap një shembull. Tash mund të jetë një person që është duke marrë një përfitim social që është mësuar me një proces, besoj që ai proces është të shkosh në zyrë postare të Serbisë për ta marrë pagesën në kesh. Si e merr ai person tash atë përfitim? Çfarë procedura janë që ai person ta marrë atë?. Ai person i moshuar mund të jetë konfuz mund të ketë tensione nga njerëzit që ndihen se janë lënë jashtë ndihmave sociale. Askush nuk e do një gjë të tillë. Jemi të shqetësuar për qytetarët dhe jetët e tyre”, theksoi diplomati amerikan.

Ambasadori i ShBA-së shtoi se Shtetet e Bashkuara janë kundër rregullores së re të BQK-së, nëse nuk përgatitet si duhet dhe në mënyrë të plotë.

Sot, më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore, e cila e ndalon përdorimin e dinarit të Serbisë në Kosovë.