Rama shkarkon Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares, e emëron zyrtaren e LDK’së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka shkarkuar Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares së Komunës në kuadër të asaj që ai e ka quajtur ristrukturim i kabinetit qeverisës në kryeqytet.

Rama ka emëruar edhe disa drejtorë, ndërsa shkroi në Facebook se Sahatçiu u shkarkua për shkak të ngecjeve të evidentuara në fushën e digjitalizimit, fushë të cilën e ka udhëhequr ajo.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, shkroi Rama.

Në vend të saj, Rama e ka emëruar nënkryetare të Komunës, anëtaren e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushakun.

“Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, shkroi kryetari i Prishtinës.

Rama njoftoi po ashtu se e ka themeluar Drejtorinë për Transformim, në krye të së cilës tha se e ka emëruar arkitektin Ilir Murseli.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, shkroi Rama.