Banka Popullore e Serbisë thotë se Kosova nuk lejoi hyrjen e dinarëve

Banka Popullore e Serbisë tha se autoritetet në Kosovë më 7 shkurt nuk kanë lejuar që në territorin e këtij shteti të hyjnë fondet në dinarë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësues të palës serbe erdhën në pikën kufitare në Jarinjë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – dhe pyetën se a lejohet qarkullimi i mjeteve financiare.

“Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, tha Stavileci.

Sipas Bankës Popoullore të Serbisë, fondet ishin të destinuara për të paguar pagat, pensionet, kontributet shoqërore dhe pagesat e tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.

Në bazë të një praktike të kamotshme, automjeti i Bankës Popullore të Serbisë me mjete në dinarë, sot është dërguar në pikëkalimin në Jarinjë, ku paratë për transport të mëtejmë do të merreshin nga vetura e kompanisë ‘Henderson’, e cila ka licencë nga autoritetet e Prishtinës për transportin e parave. Por, ajo është kthyer pa asnjë shpejgim”, tha Banka Popullore e Serbisë përmes një njoftimi më 7 shkurt.

Kjo bankë tha se paratë ishin të destinuara të shkonin në kasafortën që ajo ka në Leposaviq, një prej katër komunave në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë.