Rama për këmbimin pronave: Kanë nënshkruar 5 zyrtarë përfshirë një ministër, anulimi u bë në bazë të spekulimeve

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij sot në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit komunal, ka thënë se ligjshmërinë e vendimit për këmbimin e pronave e kanë nënshkruar pesë zyrtarë, “përfshirë ministrin e MAPL”.

“Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë në Ministri të Pushtetit Lokal që kanë miratu ligjshmërinë, të njejtit e tërheqin atë. Pa asnjë argument shtesë, pa asnjë fakt shtesë. Nuk janë një apo dy zyrtarë, por janë pesë zyrtarë të njejtë që kanë nënshkruar ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë Ministrinë e MAPL dhe më pas që të pestit e tërheqin ligjshmërinë e tij, përfshirë edhe ministrin”.

Rama tha se Ministria e Financave e ka suspenduar vlerësimin e pronave në bazë të spekulimeve në media.

“Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat.

Po suspendojmë vlerësimin e pronave. Do të thotë, as fakte nga prokuroria, as nga policia, as ndonjë dëshmi tjetër të kërkuar nga Komuna, por thotë pas raportimeve nga mediat.  Do të thotë një proces të cilin Ministria është e obliguar me ligj ta zbatojë, sikur i ka zbatuar me qindra vendime deri sot, thotë po e suspendojmë, në bazë të spekulimeve në media. Njëkohësisht, me këtë, vepron në kundërshtim edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023.”