BE pritet të godas me sanksione kompani që po e ndihmojnë luftën e Rusisë, njëra është nga Serbia

Bashkimi Evropian po përgatitet të sanksionojë firmat ushtarake dhe teknologjike nga Kina, Kazakistani, Serbia dhe vende të tjera që ndihmojnë përpjekjet luftarake të Rusisë, sipas një dokumenti të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Rusia ka arritur të kapërcejë sanksionet gjithëpërfshirëse të teknologjisë së BE-së dhe SHBA-së që synojnë të shuajnë kompleksin e saj ushtarako-industrial duke ridrejtuar mallrat thelbësore si mikroprocesorët përmes vendeve të treta miqësore, si Kina.

Perëndimi ka qenë i kujdesshëm deri më sot në lidhje me shënjestrimin e kompanive në vendet e treta nga shqetësimi për të mos acaruar raportet me liderët, duke zgjedhur në vend të kësaj diplomacinë. Por me rritjen e prodhimit të raketave dhe armëve të tjera nga Rusia me çipa të prodhimit perëndimor, presioni po rritet ndaj Brukselit dhe Uashingtonit për të ndërmarrë veprime.

Tani, para përvjetorit të dytë të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, BE-ja pritet të shpallë një paketë të 13-të të sanksioneve të lidhura me Rusinë që synon subjektet në gjashtë vende të huaja, sipas dokumentit të parë nga Radio Evropa e Lirë.