Pas largimit nga Komuna e Zveçanit, KFOR-i vazhdon patrullimin në zonë: Po punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës

KFOR-i sot gjatë ditës ka deklaruar se po vazhdon të zbatoj mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Pasi deklaruan se vlerësojnë se në Komunën e Zveçanit tashmë gjendja është stabile, Njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të tij nuk do të jetë më i pranishme në ndërtesën e kësaj komune.

“Gjendja në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO nuk do të jenë më të pranishme në ndërtesën e komunës”, u tha në njoftim.

KFOR tha se do të vazhdojnë patrullimet e rregullta në zonë, duke ritheksuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.