Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka vazhduar seancës gjyqësore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurse seanca e paraparë për sot është shtyrë më 28 shkurt.

Dje, në Dhomat e Specializuara e ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

Në seancën e djeshme është folur edhe për ecurinë e çështjes, ku u bë e ditur se seanca e paraparë për sot është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, njoftoi të hënën se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën, më 28 shkurt, përmes video-lidhjes.