Kurti: Britania, vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka marrë pjesë në përurimin e nismës ‘Labour Friends of Kosova’ [Miqtë Laburistë të Kosovës].

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj e as nuk rri duarkryq përball agresionit, dhunës dhe terrorit.

“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, citohet Kurti në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.