Qeveria diskriminon të papunët e sektorit privat në pakon 150 milionëshe anti-inflacion

Qeveria po synon t’i bëjë ballë inflacionit në Kosovë – që aktualisht vlerësohet të jetë 20 % – me një pako 150 milionëshe.

Përmes saj është paraparë ndihmë për disa kategori, megjithatë opozita po vlerëson se me të u diskriminuan të papunët dhe punonjësit e sektorit privat.

Hajdar Beqa i PDK-së, bile, ia la një epitet ndihmës qeveritare.

“Është pako emocionale e Kurtit. Me këtë pako absolut që diskriminohen punëtorët e sektorit privat e që janë shumica. S`është paraparë ndihmë për ta. Kosova s`mundet me dalë nga kolapsi ekonomik pa zhvillimin e sektorit privat”, theksoi Beqa për “Front Online”.

Sa i përket sektorit privat, ekzekutivi e ka lënë ndihmën në duart e punëdhënësve, të cilët do t’i subvencionojë përgjysmë për tre muaj po qe se ua rrisin pagat punëtorëve të tyre.

Andaj kjo masë s`po ua mbush syrin as në taborrin tjetër opozitar, LDK.

“Për ne është veprim në panik i kësaj Qeveri në vend se të jetë plan i menduar për këtë krizë. Qeveria ka injoruar sektorin privat. Asnjë cent nuk u dhanë as të papunëve. Kjo pako nuk ofron mbështetje për qytetarë dhe është diskriminuese”, theksoi deputeti aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa në një konferencë për medie, shkruan “Front Online”.

I të njëjtit mendim me ta është edhe ekonomisti Mustafë Kadriaj.

“Do të përfitojë vetëm sektori publik, sektori privat është i kushtëzuar. Mbetet pra në dëshirën e bizneseve nëse duan t`ua ngrisin pagat punonjësve të tyre”, deklaroi Kadriaj për “Front Online”.

Me pakon anti-inflacion më së shumti do të subvencionohen zyrtarët publikë, të cilët do t’i marrin nga 50 euro shtesa për 4 muajt e mbetur të këtij viti.

Megjithatëkëtë, as kjo nuk ka bërë që BSPK të tërhiqet nga greva e nisur më 25 gusht.

Organizata tjera sindikale kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.