Ambasadori i ri britanik: I lumtur që do të jetoj në Kosovë, do vazhdojmë të punojmë për siguri dhe paqe

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, ka dalë me një video-adresim për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Përmes videos të cilën e shpërndau në Facebook, Hargreaves është shprehur i lumtur që do të jetojë në një vend frymëzues si Kosova për 4 vitet e ardhshme.

“Unë dhe familja ime jemi shumë të lumtur të eksplorojmë Kosovë. Ne veçse i duam ushqimet dhe pijet këtu. Mbi të gjitha, dua t’i njoh mirë të gjitha komunitetet këtu dhe e admiroj kulturën e larmishme dhe shumështresore të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka treguar se në valixhen e tij ka zënë vend edhe fanella e Kombëtares së Kosovës në futboll, si dhe një suvenir i monumentit të pavarësisë ‘Neë Born’.

Në hyrje dhe përfundim të mesazhit të tij, ambasadori britanik ka folur në gjuhën shqipe, teksa njoftoi se për herë të parë vizitoi Kosovën në vitin 2001.

“Kam ardhur atëherë kur punoja për Departamentin e Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillim Ndërkombëtar. Natyrisht që në atë kohë, shumë njerëz këtu ishin të traumatizuar. E ardhmja e Kosovës mbeti e pasigurt. Edhe atëherë kafja në Kosovë ishte e shkëlyeshme dhe njerzët ishin të vendosur e të hareshëm. Atëherë kam ëndërruar që të rikthehem në një Kosovë me paqe, prosperitet dhe të sigurt. Kështu që është kënaqësi të jem sot këtu, dhe që nga hera e fundit kur kam qenë, Kosova ka shënuar shumë progres si një vend modern, demokratik dhe multietnik. Jam shumë i lumtur në rolin që pati edhe Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë Hargreaves.

Ambsadori britanik tha tutje se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me Kosovën, edhe për siguri e paqe.

“Ne jemi miqtë tuaj në ndjekjen e së ardhmes së begatë të Kosovës në Evropë”, thotë ndër tjera ambasadori britanik, Hargreaves.