Sot pas mesditës në Parisdo të fillojë mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku raportuesja greke, Dora Bakoyannis, do të prezantojë draft Opinionin e saj lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Në këtë draft, Bakoyannis argumenton pro anëtarësimit të Kosovës në organizatën paneuropiane.
Para kësaj mbledhje të Parisit, në Prishtinë ka folur për këtë temë presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se shpreson që raporti të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.
Osmani tha se çështja e themelimit të Asociacionit si kusht – madje edhe kyç – siç u përfol, nuk do të jetë në këtë fazë, por për të flitet si kush post anëtarësimit.
“Paragrafi 11 i raportit e qartëson se kur flitet për Asociacionin flitet si një prej detyrimeve të post anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha sot Osmani në një deklarim për media.
Ajo tha se zotimi për themelimin e tij nuk është zotim i marsit që u dha në letrën e saj të nënshkruar edhe nga kryeministri Kurti e kryeparlamentari Konjufca.
“Mos të harrojmë që për themelimin e tij është dhënë përkushtimi i plotë më 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, atë bazike të 27 shkurtit 2023. Pra, s’është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike së vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe – siç e dini të gjithë – përfshinë edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit”.