SBASHK: Orët e humbura nuk do të zëvendësohen

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Arsimit të premten dhanë sinjale pozitive dhe shpresë se një marrëveshje me Qeverinë mund të arrihet gjatë vikendit. Por të shtunën u ashpërsua gjuha në mes institucioneve dhe SBASHK-ut.

Gjatë 18 ditëve të grevës, ajo që është përmendur është edhe zëvendësimi i orëve. Kundër këtij zëvendësimi fillimisht doli Këshilli i Prindërve, të cilët thanë se do të bojkotojnë orët e humbura të mësimit pas përfundimit të grevës. Ndërkohë, ekspertë e mësimdhënës thonë se ky zëvendësim nuk po ka efekt.

SBASHK-u janë deklaruar se nuk do të zëvendësohen orët e humbura. Anëtarja e këshillit grevist të SBASHK-ut, Luljeta Boshnajku akuzoi qeverinë për mos plotësimin e kërkesave të tyre.

Ajo tha se qeveria duhet të gjejë një zgjedhje, pasi zëvendësimi i orëve të humbura nuk ka efektin e njëjtë tek nxënësit.

“Sipas ligjit dhe grevave orët e humbura nuk zëvendësohen. Qeveria duke ditur këtë fakt se orët e humbura nuk zëvendësohen nuk po ndërmerr asnjë hap. Po ashtu, kërkesa e prindërve është që orët e humbura të mos zëvendësohen sepse përveç të shtunave, nuk ka ditë tjera për të zëvendësuar. Nuk kanë efekt zëvendësimi i orëve, këtë e ka vërtetuar dhe pandemia sepse as nuk ishte vullneti i fëmijëve dhe as vullneti i prindërve që orët e humbura të zëvendësohen”, theksoi ajo.