Peach: Është e rëndësishme që dialogu të mos ndërpritet, edhe hapat e vegjël duhen mirëpritur

I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se Britania e Madhe mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha përpjekjet për normalizim dhe pajtim, sepse kjo është një çështje e rëndësishme në rajon dhe për këtë arsye ai beson se është e nevojshme të mirëpresim edhe hapat e vegjël që janë bërë deri tani.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut të Bashkimit Evropian (BE), por e mbështesim atë dhe gjithashtu mbështesim të dyja qeveritë që të punojnë së bashku – të punojnë së bashku për të ardhmen multietnike të Kosovës dhe Serbisë,” i tha Peach Këshillit Atlantik.

Peach vlerësoi se më e rëndësishmja është që dialogu nuk është ndërprerë dhe për këtë është e rëndësishme të mirëpresim hapat e vegjël që janë bërë.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të respektojnë marrëveshjet që tashmë janë përfunduar dhe të lëvizin drejt normalizimit”, tha ai.

Duke thënë se ai i njeh shumë mirë edhe Aleksandar Vuçiqin edhe Albin Kurtin, Peach tha se i inkurajon ata që “të ulen së bashku kur është e përshtatshme për ta bërë këtë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje më të mirë për të dyja vendet”.

Kur është fjala për formimin e Asociacionit, Peach tha se Britania e Madhe vazhdon të inkurajojë Kosovën që t’i përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare.