Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler ka deklaruar se Kosova është në një situatë të rehatshme në aspektin strategjik dhe se nuk ekziston ndonjë kërcënim real, prandaj sipas tij qytetarët nuk kanë arsye të frikësohen.
Megjithatë ai theksoi se është shqetësuese lufta hibride e Rusisë në Evropë.
Ne duhet të jemi të qartë se Rusia po ndërrmer një fushatë të luftës informative kundër Perendimit, dhe po përpiqet që të destabilizojë shoqëritë tona me anë të dezinformatave, me atë që quhet luftë hibride dhe po përpiqet që të ndikojë edhe të Serbia që të bashkëngjitet në këtë luftë hibride”, deklaroi Byhler.
Duke folur lidhur me sulmin e Banjskës, ish komandanti i KFOR-it tha se ka qenë një sulm terrorist dhe se kur ka parë pamjet nga trajnimet që ky grup kryente në Serbi, i është kujtuar edhe vendi ku janë kryer këto trajnime për sulmin në Banjskë.
Ai thotë se një sulm tjetër terrorist nuk është i mundur pa njohurinë e institucioneve të sigurisë të Serbisë apo edhe të vet regjimit në Beograd.
Duhet të shohim anën pozitive. Policia e Kosovës është aq mirë e trajnuar që të mund të ballafaqohet edhe me sulme të tilla të mëdha terroriste apo kriminale. Por nëse e shohim atë pamjen e gjerë sa i përket kërcënimit nga Serbia, unë po flisja për situatën e rehatshme strategjike ku Kosova gjendet aktualisht. Kosova ka forcën e NATO-s, gjashtë mijë ushtar të KFOR-it brenda saj. Ju mund të argomentoni se mund të mos jenë të mjaftueshëm për të mbrojtur Kosovën në rast të një sulmi më të gjerë, por kur flas për situatën e rehatshme strategjike, nënkuptoj që më së pari ekziston Rezoluta e Këshillit të Sigurimit dhe kjo i jep KFOR-it mandat të qartë për të ofruar ambient të sigurtë në Kosovë”, deklaroi Byhler.
Ish komandanti i KFOR-it mes tjerash foli edhe për deklaratat kërcënuese të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ku tha se është e papranueshme që një shtet evropian ta kërcënojë një shtet tjetër evropian.
“E di që është shumë i zoti me eskalim por nuk do të shkonte aq larg sa ta sulmonte Kosovën më të vërtetë”, deklaroi gjenerali Byhler.
Ndër të tjera, ai theksoi se është i sigurt se e ardhmja e ushtrisë së Kosovës është në NATO. /RTK