Që 22 orë rreth 10 mijë qytetarë të Prishtinës janë ende pa energji elektrike

Disa pjesë të Prishtinës vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike, si pasojë e zjarrit që ka kapluar dje nënstacionin elektrik “Prishtina 3”.

Gjatë ditës së djeshme qytetarët që furnizohen nga kjo pikë kanë mbetur pa energji elektrike, derisa furnizimi më vonë u kthye për një pjesë të konsumatorëve.

Siç bëri të ditur KEDS mbrëmë, furnizimi me energji elektrike është rikthyer për rreth 11 mijë konsumatorë, mirëpo rreth 10 mijë të tjerë po vazhdonin të mos kenë energji elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka njoftuar se ekipet janë ende duke punuar për të kthyer rrymën aty ku nuk ka, porse nuk dihet kur rikthehet.

KEDS tha se dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha, porse edhe mobilizimi i ekipeve të KEDS-it është i madh, puna e të cilëve u tha se po vazhdon deri në orët e vona.