Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbajtur aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, në ditën e Kushtetutës për t’i rikujtuar asaj shkeljet kushtetuese.
Kryetari i Forumit, Paris Guri deklaroi para mediave se në këtë ditë fatkeqësisht në vend të urimit, duhet të potencohen se kushtetua u shkel plot 7 herë nga kjo Qeveri.
“Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë shkelje kushtetuese duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës për reformën në Arsim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkelur kushtetutën me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg ministres së tregtisë Rozeta Hajdari’’, deklaroi Guri.
Sipas tij, fatin e njëjtë e kishte edhe Kuvendi i Kosovës, me ç’rast akti i shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u cilësua si jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
“Edhe dy ligje të tjera të kësaj qeverie u rrëzuan nga Kushtetuesja: Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publik”, përfundoi Guri.
Ai po ashtu deklaroi se betimi në Kushtetutë për këtë Qeveri është farsë, siç është edhe shërbimi ndaj Republikës.
“Duke e marrë parasysh se shkelja e Kushtetutës është shndërruar në diçka të zakonshme për këtë qeveri, si dhuratë po ja vendosim te hyrja këtë tepih meqë të tillë e kanë shndërruar aktin më të lartë juridik e politik të vendit, duke e shkelur sa herë që kanë mundësi”, ka përfunduar Guri.