Molliqaj: U vërtetua që sovraniteti i Qeverisë tonë në veri është zero

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas dështimit të zgjedhjeve në veri.

Ai ka konsideruar se përqindja e qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, tregon që sovraniteti i Qeverisë së Kosovës në veri është zero.

“Referendumi në komunat e veriut dështoi. Bashkë me të u vërtetua që sovraniteti politik i qeverisë tonë në atë pjesë është zero. Tri vite “dialog” përmes njësive speciale policore, vetëm sa i bashkoi serbët kundër institucioneve të Kosovës. Sot, edhe më shumë se në zgjedhjet e fundit lokale atje, serbët e refuzuan totalisht procesin. Ata dëgjuan Listën Serbe, e jo institucionet tona”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka shtuar se edhe instalimi i Kryetarëve shqiptarë pa kurrëfarë legjitimiteti, ishte gabim e sipas tij ata nuk kanë asnje efekt real përpos që janë instrumente në dorën e populistit Kurti.

“Ky tension i tri viteve e ka bërë Asociacionin, Superzajednicë. Taktikat e Kurtit na kanë sjellë marrëveshje katastrofale. Në veri kemi kryetar me 200 vota, e në Kosovë kemi sanksione, izolim dhe stagnim. Kësaj marrëzie duhet t’i japim fund”, ka shtuar ndër të tjera Molliqaj.