Gruaja nga Prishtina e denoncon bashkëshortin në Polici: Qe dy vjet kam pasur dhunë fizike e psikike…

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë dhe viktimat më të shpeshta janë gratë. Të dyshuarit për këto ngjarje të trishta që po përfundojnë edhe tragjikisht janë kryesisht burrat. Gratë në plot raste frikësohen për t’i denoncuar për shkak të kërcënime që pasojnë.

Një ngjarje e tillë që dyshohet se ka ndodhur në një familje në Prishtinë është denoncuar së fundmi nga një grua, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj.

Viktima ka deklaruar se në vitet e fundit burri ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj saj, por asnjëherë s’e kishte denoncuar.

Përballë këtyre rasteve që u shpeshtuan, viktima vendosi që të kërkojë ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se burri i dyshuar e ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Pas përfundimit të procedurave, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.