Disa organizata të shoqërisë civile në sheshin Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë kanë nisur të mbledhin nënshkrime për Projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë. Sipas organizatorëve të peticionit, synimi i tyre është mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve.
Përfaqësuesi i organizatave, Bind Skeja, ka thënë se niveli institucional nuk ofron shërbime për parandalimin e vetëvrasjes.
“Kushdo që ka vetëm pak interesim në këtë fushë e din se niveli institucional nuk ofron as edhe një shërbim për parandalim të vetëvrasjes. Nuk ka programe për të mbijetuar të vetëvrasjes, nuk ka rrjete të shërbimeve të cilat mbështesin individët me mendime të vetëvrasjes, nuk ka plane të ri-integrimit, e as nuk ka mbrojtje të familjeve të viktimave”, ka deklaruar ai.
Skeja ka thënë se vetmja gjë e ofruar janë disa ditë të mbyllur në psikiatri për trajtim pa vullnet, gjë që, sipas tij, OKB-ja e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut.
“Organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të aktivistëve kanë kërkuar vazhdimisht që të ndërmerren mase, në më të paktën të fillohet hartimi i një strategjie për parandalim të vetëvrasjes. Sidoqoftë, këto thirrje janë pritë me heshtje, ndonëse kurdo që ka raste tragjike të cilat marrin hov në media, shtresa politike i ka statuset e mbuluara me nuanca të vajtimit. Fjalë ka shumë, por ndonëse kanë fuqi vendimmarrëse mbesin vetëm si të tilla. Kjo për neve është një situatë hipokritike e cila nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Skeja.
Duke u bazuar në Ligjin për Nisma Legjislative, ao ka thënë se do të kërkojnë nga Kuvendi që të hartojnë një Ligji për parandalim të vetëvrasjes, të parin në vend dhe rajon.
“Ne e konsiderojmë jetike krijimin një ligji që i ngërthen të gjitha këto pika, prandaj ne i ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që të na bashkohen në këtë kauzë nëpërmjet nënshkrimit të peticionit”, ka thënë Skeja.