Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Humolli ka thënë se rruga e gabuar ka filluar qysh nga viti 1999, pasi nuk është vlerësuar drejt politika e bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk është kuptuar drejt që Serbia është armiqësore në raport me çështjen shqiptare.
“Ne e kemi një klasë politike që nuk ka besuar se kemi mundësi të çlirohemi prej Serbisë dhe është ballafaquar me një klasë politike që i ka prirë procesit të luftës çlirimtare dhe e kemi detyruar bashkësinë ndërkombëtare të reflektojë në raport me interesat tona kombëtare. Por, këtë reflektim të bashkësisë ndërkombëtare e kemi marrë sikur diçka të kryer dhe nuk e kemi vlerësuar se është një proces që duhet të zhvillohet”, ka thënë Humolli në “Info Plus” në RTK.
Ai ka thënë se qeveria aktuale e ka ndërruar kursin e saj dhe për këtë është dashur të shkojë sërish te qytetari dhe ta kërkojë besimin.
“Kjo qeveri e ka marrë besimin e qytetarëve për t’iu qasur ndryshe Serbisë, jo të bisedojë për dinarin, ose jo të bisedojë me Serbinë për Kosovën. E ka marrë besimin për të biseduar me serbët e Kosovës për Kosovën. Në vend që të bisedojmë me serbët e Kosovës, sot institucionet tona dhe partitë politike në tërësi kanë pranuar të bisedojnë me Vuçiqin për jetën e serbëve në Kosovë”, ka theksuar tutje Humolli.