Dy shtetasit rusë, që janë ndaluar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës për “kalim ilegal të kufirit” janë dënuar dhe më pas dëbuar nga Kosova.
Policia e Kosovës pati thënë më 6 maj se dy rusët janë ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe kanë arritur aty prej Nishit të Serbisë, pasi nuk kanë pasur viza të Kosovës.
Këta dy rusë, Khusam Azam, 57 vjeç, profesor, dhe Elena Azam, 55 vjeçe, gjinekologe, janë dënuar me nga 250 euro, ka thënë një zyrtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Ata janë dënuar në bazë të nenit 140 të Kodit Penal të Kosovës. Është dënim prej 250 eurosh, ose me burgim prej gjashtë ditësh. Kjo është çështje ligjore dhe gjykata ka shqiptuar dënimin e përcaktuar në ligj”, ka thënë një zyrtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut.