ZKM ka lëshuar një komunikatë për darkën e sotme të kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi sonte një darkë pune me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.”
ZKM thotë se temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, por kanë përmendur që nevojitat votat e 2/3 të deputetëve për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kjo darkë u zhvillua me ftesë të kryeministrit Kurti. Temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, e për çka nevojiten 2/3-tat e deputetëve në Kuvend”.
Kurti ka thënë se 224 ligje janë votuar në dy lexime deri tani dhe se kjo legjislaturë ka shënuar rekord të ri të të ligjeve të votuara që nga pavarësia.
“Kryeministri theksoi se me 224 ligje të votuara në dy lexime deri më tani, legjislatura e dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2021 ka shënuar rekord të ri të ligjeve të votuara që prej pavarësisë së vendit. Ky numër mund të rritet edhe më tej, por që për çështje të caktuara, sikurse marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje të caktuara nevojitet edhe mbështetja dhe kontributi i partive tjerat parlamentare”.
Në takim ZKM thotë se është diskutuar edhe për aktualitetin politik, përfshirë zgjedhjet e reja.
“Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj”.
Kurti ka falënderuar Krasniqin dhe Tahirin që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për darkë dhe shtoi se është interesuar të takojë edhe përfaqësues të partive tjera politike.
“Kryeministri Kurti falënderoi udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, që ju përgjigjen pozitivisht ftesës për një darkë pune sonte. Ai është i gatshëm dhe i interesuar që të takojë edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare për të zhvilluar diskutime të ngjashme me ato të sontshme”.