Nuk e raportoi saktë pasurinë, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Goran Rakiqit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilin e akuzon se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve së Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

Aktakuza thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë./ Express