Qeveria e Kosovës ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës me zotimin se po përgatisin një draft- statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lidhur me këtë ka reaguar rkeu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e quajtur këtë veprim “dështim spektakular, turpërim ndërkombëtar dhe dëm historik”.
“Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë dialoguse, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë.”
Abdixhiku ka thënë se letra e Berlinit, Parisit dhe Romës “nuk ekspozon thjesht një kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave shtetarë”, por sipas tij ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i LDK’së ka shkruar se partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë.
“Partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë që kur Kryeministri i viziton u jep pasqyrën e shtetit të falimentuar si sukses qeveritar. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është platformë zgjedhore mbi të cilën merren votat. Populistët këtë peshë përfaqësimi nuk e kuptojnë dot. Prandaj dhe të turpërojnë, të dështojnë dhe të dëmtojnë.”
Ai ka shtuar se LDK nuk ka bërë dhe nuk bën politike elektroale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“LDK-ja nuk ka bërë dhe as nuk bën politikë elektorale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. E kuptojmë peshën e vërtetë të shtetësisë. LDK-ja qëndron e palëkundur në këtë rrugëtim, prandaj me kohë ka propozuar autorësinë e Republikës ndaj detyrimeve ndërkombëtare, si parakusht i evitimit të dështimeve historike e dëmeve pas dështimeve – ku dhe jemi sot. Në relaciont e tilla, ka një kohë kur duhet përballur me argumente politike dhe ka një kohë kur duhet qëndruar në ballë të angazhimeve ndërkombëtare. Këtu dallojnë prijësit prej populistëve, patriotët prej mashtruesve.”
Ai ka shkruar se shteti i Kosovës dhe qytetarët nuk ua kanë borxh të ardhmen “një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq”.
Abdixhiku ka shtuar se “duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”.
Ai ka thënë se populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare.
“Heqja dorë nga rrugëtimi euroatlantik është tragjedi. Dhe këtë heqje dore duhet ta parandalojmë si popull, si shtet si gjeneratë e ardhmja e së cilës po merret peng nga një njeri. Prandaj populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare!”
Në fund, Abdixhiku ka shkruar “dorëheqja, më pas shpërndarja, në fund zgjedhjet dhe fitorja e politikës normale.”