Çarje e madhe mes Kurtit e Osmanit, këshilltari i Presidentes lëshon reagim edhe më të ashpër për letrën e Gërvalles

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësministrja Donika Gërvalla-Schwarz

Presidenca e Kosovës, ka vazhduar përplasjet në distancë me Qeverinë e Kosovës. Kësaj here presidenca i ka reaguar Donika Gërvallës duke i gjetur edhe gabime në data.

Në një prononcim për “Debat Plus”, Bekim Kupina, ka thënë se Qeveria dhe MPJD nuk kanë treguar koordinim e bashkëpunim me presidenten Vjosa Osmani.

Sipas tyre kjo nuk e ndihmon Kosovën.

Në prononcim theksohet se Presidentja po vazhdon angazhimin që sa më parë të mbahet një seancë për anëtarësim të Kosovës në KiE.

“Konkretizimi i zotimeve të 22 marsit 2024 (e jo të prillit, siç thuhet nga MPJD-ja) mund të bëhet vetëm pas pajtimit në mes të tre krerëve të institucioneve, gjë që nuk ka ndodhur. Veprime të tilla janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nuk e ndihmojnë Kosovën. Prandaj në mënyrë që Kosova të ecë suksesshëm drejt KiE, është me rëndësi që veprimet shtetërore të koordinohen paraprakisht edhe brenda institucioneve, por edhe me aleatët të cilët po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës. Siç e potencova edhe më herët, Presidentja po vazhdon angazhimin që sa më parë të mbahet një seancë për anëtarësim të Kosovës në KiE”, ka thënë Kupina.

Para kësaj, gjatë ditës së sotme zyra e parës së shtetit kishin një reagim tjetër, dhe thanë se veprimet unilaterale nuk i përkrahin.

Po ashtu Presidenca e Kosovës ka thënë që çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”