Kushtëzimi i Kosovës në KiE, Butikofer: Gabim i keq i qeverisë gjermane

Gjermania, së bashku me shtetet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të bëjnë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, në mënyrë që të arrihet mbështetja e shumicës së anëtarëve në Komitetin e Ministrave të KiE-së për pranimin e Kosovës.

Ndaj, qëndrimit të qeverisë gjermane, ka reaguar eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, i cili e ka quajtur këtë veprim si një gabim i keq.

“Më vjen shumë keq për qeverinë time gjermane, në të cilën Ministrja e Jashtme, Ana Baerbock, që është nga partia ime, mori këtë vendim strategjikisht të gabuar për të frustruar dëshirën e Kosovës për të ecur përpara me integrimin hap pas hapi në institucionet evropiane. Gabim i keq!”, ka shkruar eurodeputeti gjerman, në platformën “X”.

Gjermania ishte në mesin e shteteve të Këshillit të Evropës që kushtëzuan pranimin e Kosovës në këtë organizatë me themelimin e Asociacionit.

“Sipas nesh, dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese para takimit të Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde në postimin në X pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë punën e vështirë’. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Ambasada gjermane.

Ndryshe, gjatës së enjtes në Bundestagun gjerman u diskutua mes tjerash edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, para deputetëve e bëri të qartë se Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovën në këtë proces.

Jam mirënjohëse për punën intensive të deputetëve gjerman. U bëj thirrje të gjithë të përfshirëve dhe Kosovës të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të arritur shumicën e nevojshme për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha diplomatja gjermane.

Edhe më i zjarrtë për këtë çështje ishte deputeti gjerman nga radhët e CDU-s, Knut Abraham.

Ai i bëri thirrje qeverisë gjermane që të marrë një vendim përfundimtar në favor të Kosovës.

Sipas Abraham edhe nëse Kosova nuk futet nesër në agjendë, Komiteti i Ministrave duhet të mblidhet sërish gjatë muajit qershor për ta shtyrë përpara këtë proces.