Nënsekretarja Allen në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit del me njoftimin për takimin e saj me Osmanin

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen, ka takuar sot presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast kërkoi të zbatohen marrëveshjet e arritura me Serbinë, kurse për Asociacionin tha se është hap kryesor për udhëtimin euroatlantik të Kosovës.

Për vizitën e Allen në Kosovë ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, konkretisht për takimin e saj me Presidenten.

DASH në njoftim thotë se Allen dhe Osmani diskutuan për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë për arritjen e këtij qëllimi.

“Nënsekretarja dhe presidentja diskutuan për prioritetin strategjik për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë për arritjen e këtij qëllimi. Nënsekretarja theksoi përfitimet e integrimit ekonomik rajonal dhe rëndësinë e vlerave evropiane dhe transatlantike si të drejtat e pakicave dhe liria e medias”.

“Të dyja nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi (MOU) për të forcuar bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të luftuar manipulimin e informacionit nga shteti i huaj. Kosova është vendi i pesëmbëdhjetë në Evropë, Afrikë, Azinë Lindore dhe Amerikën e Veriut që miraton Kornizën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj”, shkruan njoftimi i DASH.

“Këto vende janë bashkuar në njohjen e përbashkët se manipulimi i informacionit të shtetit të huaj, i cili përfshin dezinformimin dhe propagandën, është një kërcënim i sigurisë transnacionale që mund të krijojë ose të shfrytëzojë përçarje brenda dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin zgjedhor dhe të minojë besimin e publikut në qeveri”.

“Nëpërmjet këtij memorandum mirëkuptimi, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova synojnë të zgjerojnë shkëmbimin e informacionit, të ndërtojnë kapacitete për programim kritik kundër dezinformimit dhe të harmonizojnë politikat e qeverisë rreth pesë fushave kyçe të veprimit të përcaktuara në Kornizë. Ky bashkëpunim i zgjeruar dypalësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të luftuar manipulimin e informacionit nga shtetet e huaja, avancon interesin e përbashkët të dy vendeve për të siguruar një ekosistemin global të informacionit të lirë, të hapur dhe të bazuar në fakte”, thuhet në njoftimin e DASH-it.