Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë detaje për takimin e Nënsekretares për Diplomaci, Liz Allen, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Në njoftimin e DASH thuhet se dyshja “diskutuan marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë, duke përfshirë angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë multietnike të Kosovës”.
Në takim nënsekretarja nënvizoi mbështetjen e fortë e të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.
“Nënsekretarja ndau vëzhgimet e saj nga qëndrimi i saj në Kosovë, duke përfshirë ndërveprimin e saj me të rinjtë dinamikë dhe divers kosovarë, dhe bëri thirrje për rritje të koordinimit ndërmjet qeverive tona për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, përfundon njoftimi i DASH.