Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova po e lidh fatin e vet me Serbinë, teksa e komentoi çështjen e draft statutit të Asociacionit dhe letrën e Gjermanisë, Francës e Italisë për këtë çështje.
Në një intervistë për Nacionalen, Rama tha se strategjinë e negociatave me Serbinë do ta kishte zgjidhur ndryshe.
Sipas tij, pasi Kosova e ka lidhur fatin e vet me Serbinë, kjo mund të jetë taktikë e mirë për elektoratin brenda, por siç thotë ai, nga pikëpamja e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk është produktive.
“Kosova nuk e ka me Serbinë dialogun. Këtë ua kam thënë të gjithë udhëheqësve tuaj. Kosova e ka dialogun me BE-në. Kosova nuk e ka objektivë të integrohet në BE, Kosova e ka objektiv të bashkohet me BE dhe të bëhet anëtar i familjes së Perëndimit duke pasë parasysh që Lindja është Rusia.
Çka duhet të bëj Kosova, duhet të bëj pjesën e vet nga A deri në Zh, pa pyet fare se çka duhet të bëjë Serbia, ajo që i kërkohet Kosovës është në të mirën e Kosovës.
Kosova e ka fitu luftë, e ka ni luftë tjetër tani, e ka luftën për të konfirmuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar.
Dhe, atëherë dihet kush janë detyrimet. Unë nëse do të isha përcaktuar strategjinë dhe taktikën e negociatave do të kisha përmbushur gjithë pjesën që më takon dhe do thosha ne e bëmë tonën.
Duke e bërë të kundërtën, Kosova e ka lidhur fatin e vetë me Serbinë, kjo mund të jetë taktikë e mirë për elektoratin brenda, por nga pikëpamja e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk është produktive”, tha Edi Rama.