Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.
Kurti në Facebook ka shkruar se do të ketë bashkëpunim me shtetin e Katarit në shumë sfera duke theksuar “ato në rrafshin ekonomik si dhe digjitalizimin e sistemit social dhe pasurimin e listës së shërbimeve elektronike për qytetarë”.
Njoftimi i plotë:
Miqësia me shtetin e Katarit vijon të forcohet, e sferat e bashkëpunimit të zgjerohen.
Teksa mirëpritëm ministren për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad, në qendër të diskutimit ishte raporti bilateral, rritja ekonomike në vend, mirëqenia sociale e qytetarëve e ku me këtë rast u theksua pilotimi i reformës së skemës së asistencës sociale e cila filloi fundjavën e kaluar, rëndësia e gjithëpërfshirjes dhe fuqizimi i grave si forcë shtytëse e zhvillimit të shoqërisë.
Në mesin e nismave me potencial të bashkëpunimit, veçuam ato në rrafshin ekonomik si dhe digjitalizimin e sistemit social dhe pasurimin e listës së shërbimeve elektronike për qytetarë.