Familjarë të Sadik Durakut nga Kosova, i ndaluar në Serbi qysh më 17 prill, thonë se nuk kanë informacione se çfarë është duke ndodhur me të, ndërkohë që avokati thotë se masa e paraburgimit të tij është “duke skaduar”.
Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike, u arrestua muajin e kaluar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës konfirmoi atëkohë për Radion Evropa e Lirë se atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
REL-i e pyeti MPJD-në nëse ka informacione për rastin e tij tash që ka përfunduar ky afat, por nuk mori përgjigje.
Vëllai i Sadik Durakut, Avdyl Duraku, thotë se është “tejet i shqetësuar” për fatin e tij.
“Nuk e di se si të veproj nga Kosova… Avokati i tij, tash e tri javë, na thotë se në këtë javë mbahet seancë, në këtë javë… Vëllai im po mbahet padrejtësisht në burgjet e Serbisë”, thotë Duraku për REL-in.
Shton, po ashtu, se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, pasi vuan nga problemet në zemër.
Avokati i Sadik Durakut, Goran Petronijeviq, thotë se klientit të tij është “duke i skaduar afati i paraburgimit”, por nuk specifikon kur.
“Tani vendoset nëse do të vazhdohet paraburgimi prej 30 ditësh apo do të ndryshohet me ndonjë masë tjetër”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Petronijeviqit, masa e ndalimit është caktuar për shkak të, siç është thënë, rrezikut të arratisjes, sepse bëhet fjalë për shtetas të huaj, por edhe “shqetësimit publik”, meqë mediat kanë raportuar për rastin.