Haradinaj: Serbia u inkurajua nga gabimet e Kurtit, do t’i shfrytëzojë vendet mosnjohëse

Kosova zyrtarisht është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku pritet të bëhet anëtare e asociuar e Aleancës. Për këtë Serbia e ka dërguar një letër duke pretenduar se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për letrën e dërguar nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të cilën e sheh se veprim për “shkak të gabimeve të Kosovës”.

“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kosovës, prej gabimeve të Kurtit dhe ajo shkon në një hap më tutje, pra më shumë minuse t’i quaj kështu sepse një letër e tillë, sepse Serbia me siguri ka përgatit, nuk sjell letra e para, pra me siguri ata gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte gjoja se Kosova vepron kundër të drejtave të komunitetit serb apo edhe zhvillimeve tjera, pra e kemi paralajmëruar me kohë thellimin e humbjeve për Kosovën”, thotë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për mundësinë që ky proces të dështojë si në rastin e Këshillit të Evropës. Ai ka thënë se Serbia do t’i shfrytëzojë vendet mosnjohëse.