Rukiqi: Rruga e vetme për zgjedhje, dorëheqja e Kurtit, mënyrat tjera janë të papranueshme për LDK-në

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, tha se propozimi i tyre për të shkuar në zgjedhje është përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti. Thotë se mënyrat tjera janë të papranueshme për LDK-në.

Opsionet e ofruara nga partitë tjera, Rukiqi i sheh të gabuar, ndërsa insiston fillimisht në dorëheqje e më pastaj në shpërbërje të Kuvendit.

Qeverisjen trevjeçare, Rukiqi e quan të dëmshëm për vendin, ndërsa përmend dështimin për anëtarësim në Këshill të Evropës e në fusha tjera.

“Realisht kjo qeveri vazhdimisht i bën dëm vendit nuk është pyetja se a duhet të shkoj vendi në zgjedhje apo jo por si duhet të shkoj në zgjedhje ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe kjo është fakt ai që nuk e pranon si fakt se duhet të shkoj vendi në zgjedhje, sidomos pas një qeverisje të tillë skandaloze të kësaj Qeverie është naiv në mënyrën se si e sheh politikën ajo që ne kemi thënë në rendin e gjërave pra dorëheqje, pastaj shpërbërje dhe pastaj zgjedhje. Është rendi i cili i jep përgjigje keqqeverisjes, rezultateve negative në çdo sferë, i jep përgjigje çdo skandali diplomatik, politik, çdo dështimi si është rasti me Këshillin e Evropës. Pra nuk e amniston këtë Qeveri nga bilanci jashtëzakonisht negativ i tre viteve të fundit. Format tjera si janë diskutuar e lansuar në opinion kryesisht në 10 ditët e fundit e që janë të lidhura me shpërbërjen e Kuvendit, janë amnistim, pra është një far lloj amnistie për keqqeverisjen e kryeministrit Kurti”, u shpreh Rukiqi.