Trafikonin armë nga Kosova dhe Serbia, gjykata lë në burg katër të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për personat e përshirë në trafik armësh nga Kosova dhe Serbia në drejtim të Shqipërisë. Bëhet fjalë për grupin e përbërë nga Blerim Krasniqi, Muhamet Krasniqi, Edonis Thaçi dhe Benjamin Shala.

Armët e zbuluara në një çantë brenda një makine të ndalur pranë terminalit të autobusëve në Lundër, kishin ardhur nga Kosova, brenda një autobusi që bënte thuajse përditë linjën Prishtinë-Tiranë.

Dhjetë pistoletat që u sekuestruan në Tiranë pranë terminalit të autobusëve në Lundër, janë të prodhuara në Republikën Çeke, ndërsa policia dyshon se fillimisht janë trafikuar në Serbi dhe si destinacion kishin Greqinë.

Të arrestuarit kanë biseduar me disa shtetas serbë, për sigurimin dhe blerjen e armëve, dhe më pas i kanë transportuar në Shqipëri me autobusin në pronësi të Edonis Thaçit./abcnews.al