Raporti i kryediplomatit evropian, Josep Borell në lidhje me heqjen eventuale të masave të vendosur nga BE për Kosovën, ende nuk ka përfunduar.
Në atë raport sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, do të përfshihen edhe zhvillimet e fundit, përfshirë këtu mbylljen e pikave ilegale të bankave serbe në vend dhe aksioni i Policisë së Kosovës për konfiskimin e dinarëve. Qeveria e Kosovës në një përgjigjje ka ripërsëritur kërkesën për heqjen sa më parë të këtyre masave.
Masat që i’u vendosën Kosovës nga BE-ja pas situatës së vitit të kaluar në veri, duket se do të marrin drejtim jo të dëshirueshëm për vendin, pikërisht për shkak të një aksioni tjetër.
Veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë në veri të vendit ku para më shumë se 10 ditësh mbyllen pikat ilegale të bankave serbe duket se do të përfshihet në raportin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës.
Raporti ende është duke u finalizuar dhe sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i njëjti rrjedhimisht nuk u është dërguar as shteteve anëtare.
“Masat janë vendosur si përgjigje e hapave të pakoordinuara e të njëanshëm që dërgojnë drejt eskalimit të mëtejmë, dhe nuk ndihmojnë në deeskalim. Ato ishin vendosur me qëllimin që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë drejt deeskalimit, kështu që sigurisht gjithçka që po ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, ka deklaruar Stano.
Ndërkohë për këto qeveria e Kosovës në një përgjigje vetëm ka ripërsëritur qëndrimin se masat kundër Kosovës duhet të hiqen sa më parë.
“Qeveria ri përsërit nga ana e saj në vazhdimësi që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe masat duhet të hiqen sa më parë”, thuhet në përgjigjen e Klisman Kadiut, Këshilltar për media i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi. /TV Dukagjin