Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se grupi i kryeterroristit, Millan Radojiciq, vazhdimisht përbënë kërcënim për Republikën e Kosovës, sipas tij, synim kanë për të ngritur tensione në katër komunat veriore.
Ministri i Mbrojtjes tha se Gjermania së shpejti do të dërgon donacion tjetër në vlerë prej 7 milionë eurove për të rritur kapacitetet ushtarake.
1 vit pas tensioneve të ngritura në katër komunat veriore ku protestuesit serbë kanë sulmuar gazetarë, polic dhe pjesëtarë të KFOR-it, Maqedonci tha se janë mbyllur shumë rrugë ilegale të cilat janë shfrytëzuar për përgatitje të sulmeve ndaj republikës.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup paraushtarak serb me në krye ish nënkryetarin e Listës Serbe, kryeterroristin e grupit Millan Radojiciq, kryen sulm ndaj Policisë së Kosovës.
Shqetësimet se grupi i Radojiciq po përgatitet sërish për të nxitur tensione, ka ngritur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ministri Meqedonci tha se tendenca e këtij grupi është aneksimi i katër komunave veriore.
“Mendojmë që ky grup paraqet në vazhdimësi kërcënim për sigurinë në Republikën e Kosovës, kjo është thënë disa herë edhe nga Policia e Kosovës, ka pasur informacione për vazhdimin e përgatitjeve nga grupet e tilla në Serbi, me qëllim për të realizuar aksione në katër komunat veriore të vendit tonë, me qëllim destabilizimin e situatës dhe cenimin e rendit Kushtetues dhe sovranitetit të vendit tonë”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Pas një donacioni 2 muaj më parë të cilin e kishte dhuruar Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Maqedonci konfirmoi për televizionin se janë ndarë edhe 7 milionë euro ndihmë për pajisje taktike ushtarake.
“Gjermania është duke vazhduar edhe me donacione të tjera, së shpejti do të kemi një donacion përafërsisht 7 milionë që kemi pranuar nga Gjermania, por gjithashtu edhe nga vendet e tjera përveç aspektit të bashkëpunimit të blerjeve, mbështesin zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës në sisteme të ndryshme të armatimit, pajisje dhe automjete taktike”, është shprehur ministri Maqedonci.
Ndonëse janë bërë 1 vit që nga ngritja e tensioneve nga protestuesit serb në katër komunat veriore, ku u sulmuan gazetarë, polic e pjesëtarë të KFOR-it, ministri i mbrojtjes tha se deri tani janë mbyllur rrugët ilegale të cilat janë shfrytëzuar edhe nga grupet terroriste.
“ Sot situata qëndron krejt ndryshe, ne kemi një shtrirje të sovraniteti rendit dhe ligjit, kemi prerje të shumë rrugëve të cilat janë shfrytëzuar jo vetëm për kontrabandë por edhe për përgatitjet të sulmeve siç ishte sulmi i 24-shtatorit, dhe kemi funksion normal të administratës shtetërore në atë pjesë të territorit të vendit tonë”, ka thënë ai.
Më 29 maj 2023, një grup serbësh protestuan afër godinës së komunës në Zvecan, pasi që kryetari i kësaj komune por edhe tre të tjerave, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, dolën në objektet e komunave veriore për ta kryer funksionin e tyre.