Mustafa: LDK nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me asnjë parti

Lidhja Demokratike e Kosovës është e prerë në vendimin për mos hyrje në koalicion me ndonjë parti tjetër, teksa kanë kritikuar Qeverinë Kurti për dështime gjatë këtyre tre viteve qeverisje.

Sipas zëdhënësit të LDK-së Besian Mustafa, Qeveria Kurti ka bërë që Kosova të dështojë në shumë fusha të cilat janë pjesë përbërëse e mirëqenies së qytetarit.

Ai ka shtuar se si parti kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

“Qëndrimi i LDK-së vazhdon të jetë i njëjti, për shkak të dështimeve të kësaj qeverie që nga diplomacia e deri tek zhvillimi ekonomik deri tek prishja e partneritetit me miqtë ndërkombëtarë më të rëndësishëm, partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe shtet formimit të Kosovës e deri tek arsimi, infrastruktura dhe çdo sferë tjetër e jetës. LDK kërkon që kjo qeveri dhe kryeministri i vendit pra Zoti Albin Kurti të marr përgjegjësinë për gjitha këto dështime duke dhënë dorëheqje pastaj të bëhet shpërbërja e kuvendit dhe fare në fund data e zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa sa i përket mundësisë së krijimit të ndonjë koalicioni me ndonjë parti tjetër në vend, Mustafa është shprehur se LDK- ja do të hyjë si e vetme në zgjedhje.

“LDK-ja nuk planifikon të hyj në koalicion parazgjedhor me asnjë nga partitë parlamentare aktuale në Kuvendin e Kosovës”,ka përfunduar ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ku të pranishëm ishin të gjithë anëtarët që vijnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës.