Pajaziti: Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet në Bujanoc është flagrante, s’i ndihmon shqiptarët

Kandidati për kryetar të Komunës së Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti, e ka quajtur ndërhyrje flagrante tubimin në Prishtinë të Partisë për Veprim Demokratik ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pajaziti ka thënë se kjo është një ndërhyrje e pakuptimtë dhe e papranueshme që s’i ndihmon shqiptarët atje.

Më tej, ai ka vlerësuar se as partitë tjera nuk do ta pranojnë ndërhyrjen e Kurtit në asnjë mënyrë.

“Është gjendje faktike të cilën nuk mund ta mohojë e ta ndryshojë askush. Është krejtësisht e pakuptimtë dhe e papranueshme. Duke i parë lëvizjet e Kurtit si në zgjedhjet në Shqipëri e në Maqedoni të Veriut, kam pritur që do të jetë një përzierje një ndërhyrje e cila për fat të keq nuk i ndihmon shqiptarët. Druaj që vazhdimësia e fushatës nga nesër nuk do të jetë e qetë sepse kjo është një ndërhyrje flagrante të cilën në partitë politike tjera nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë”, është shprehur ai në Tëvë 1.

Ndërkohë ai ka folur edhe për gjendjen e tanishme të Bujanocit, për të cilën ka thënë se nuk është e mirë, duke theksuar se ka miliona probleme të cilat udhëheqësit aktual nuk mund t’i zgjidhin.

“Fushata zgjedhore ka qenë e qetë, me rivalët kemi qenë korrekt deri sot, tash ka filluar të ashpërsohet gara por që nuk do të dalë jashtë kontrollit. Motoja jonë është ka ardhur koha që të ndryshojë politika 22 vjeçare. Situata politike këtu nuk është aspak e mirë, është e brishtë kemi miliona probleme, nga këta njerëz nuk pritet asgjë më. Bujanoci ka nevojë të ndryshojë keqmenaxhimin që është bërë deri më tash”, ka shtuar ai.