Osmani arriti më 12 maj në Kosovë, dy ditë para letrës ‘krye më vete’ të Gërvallës për Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka reaguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se për shkak që ishte në SHBA nuk kanë arritur të koordinohet për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës. Kjo deklaratë u pa si qesharake nga ana e Osmanit, ndërsa nuk e ka kursyer as ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Sinjali ka mësuar se Osmani ka arritur në Kosovë më 12 maj, dy ditë para letrës ‘krye më vete’ të Gërvallës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, Osmani nuk kishte qenë jashtë vendit, por kishte mbërritur në Kosovë.

Osmani sot tha se një temë e tillë e rëndësishme do të duhej të kishte koordinim.

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftëse dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jëmi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”. – ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se edhe kur janë jashtë vendit, ka mënyra të sigurta për të komunikuar, ndërsa ka pasur disa fjalë edhe për letrën e kryediplomatës Donika Gërvalla.

“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i kuvendit sepse me të si kryetar i kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat ka mënyra të sigurta të komunikimit të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër.” – ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se deklarata e Konjufcës është qesharake dhe se letra e Kosovës dërguar në KiE ishte publikuar fillimisht në rrjetin social “X”.

“Në qoftë se tema paska qenë të mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake.” – ka thënë Osmani.

Ndryshe, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se përplasja në mes të Qeverisë dhe Presidencës rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ‘ishte e paqëllimshme’.

Faktin që ministrja Gërvalla nuk e informoi Presidenten për letrën që dërgoi në KiE në minutat e fundit (megjithëse iu kthye prapa), Konjufca e arsyetoi me qëndrimin jashtë vendit të presidentes Osmani.

“Çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur me ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri. Jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe koordinohet, pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëj diçka te qëllimshme kundër Presidentes. Ka qenë thjeshtë teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësi që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndaj të gjitha me Presidencën, dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj. E keni parë e ky reagim vjen me siguri si pasojë e asaj që ata kane menduar që çdo hollësi do duhej të ishte ndarë”, tha Konjufca.