Gjenerali i ushtrisë serbe: Provokimet nga Kosova kërcënojnë sigurinë, KFOR-i t’i mbrojë serbët

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, u takua sot në Kopaonik me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, gjenerali serb i ka thënë Ulutashit se “gjendja e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme dhe se aktet provokative të njëanshme të Prishtinës përbëjnë kërcënim për sigurinë”. Ai kërkoi nga komandanti i KFOR-it që forcat ndërkombëtare të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe të parandalojnë me shpejtësi përpjekjet për të rrezikuar popullsinë serbe.

Mojsiloviq dhe Ulutash thuhet se kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin e tyre të deritanishëm dhe efektet e aktiviteteve të ndërmarra për monitorimin e situatës në terren dhe “parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë”.

Në bisedë, sipas njoftimit, u shpreh përkushtimi i ndërsjellë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe u theksua rëndësia e kontakteve në të gjitha nivelet ndërmjet Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it për veprime efektive parandaluese.

KFOR-i ndërkaq deklaroi se Ulutash dhe Mojsiloviq paraqitën pikëpamjet e tyre për situatën e sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe për aktivitetet e bashkëpunimit, duke përfshirë patrullimet e sinkronizuara përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.