Gjermani: Numri i vdekjeve prej drogave në nivel rekord

Zyra Federale për Drogat me seli në Berlin regjistroi në vitin 2023 më shumë se 2200 vdekje nga drogat. Por kjo shifër duhet të jetë edhe më e lartë.

Numri i vdekjeve të lidhura me përdorimin e drogave në Gjermani ka arritur një rekord historik: në vitin 2023 u regjistruan 2.227 vdekje të lidhura me konsumin e drogave, njoftoi i Ngarkuari Federal për Drogat, Burkhard Blienert, 1,844 burra dhe 383 gra. Kjo shifër është dymbëdhjetë për qind më e lartë se një vit më parë dhe rreth dy herë më shumë se dhjetë vjet më parë.

Blienert tha se e vlerëson situatën si “shumë të rëndë”: “Kam frikë se në realitet duhet të ketë edhe më shumë vdekje të lidhura me konsumin e drogave”, sepse ka “shumë pak raporte toksikologjike dhe autopsi”.

Sipas tij gjithashtu konstatohet se “gjithnjë e më shumë substanca konsumohen të përziera së bashku, se në treg ka substanca gjithnjë e më të forta dhe se konsumuesit e drogave marrin çdo gjë që gjendet në treg”. Sipas Blienert mosha mesatare e të vdekurve ishte 41 vjeç dhe ajo vazhdon të rritet. Për rreth dy të tretat e rasteve të vdekjeve – 1,479 raste – u konstatua se kishin të bënin me konsumimin e përzier të substancave të ndryshme të paligjshme – 34 për qind më shumë se në vitin 2022.

Sipas të dhënave shkaktare për 712 raste vdekjeje ishte heroina duke e bërë këtë drogë substancën më të shpeshtë që shkakton vdekje. Megjithatë vihet re një rënie e lehtë. Nga ana tjetër ka pasur rritje të konsiderueshme – nga 507 në 610 raste vdejkeje – të lidhura me konsumin e kokainës dhe drogës crack.

Një rritje edhe më të konsiderueshme – nga 528 në 654 raste vdekjesh – shënohet prej konsumit të barnat për zëvendësimin e opiateve. Numri i vdekjeve nga përdorimi i metamfetaminës u rrit gjithashtu ndjeshëm nga 47 në 122 raste.