Shtetet kyçe të BE-së të cilat janë të involvuara edhe në procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli kanë qenë të palëkundura në kushtëzimin e tyre që Kosova duhet të bëjë progres të dukshëm sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nëse Prishtina zyrtare dëshiron të marrë përkrahje për anëtarësimin në Këshill të Evropës. Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar ta çojë Draftin e BE-së në Kushtetuese duke e humbur kështu mundësinë që Kosova të anëtarësohet në KiE gjatë majit.
Por, çfarë nënkupton për besueshmërinë në mes Kosovës dhe aleatëve një raport i tillë i kushtëzuar e ku letrat me nënshkrime e zotime s’kryejnë më punë tek ndërkombëtarët.
Lidhur me këtë ka folur profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer. Ai ka thënë se më raportin e kryeministrit të Kosovës me evropianët dhe amerikanët ka mungesë të besimit dhe efektivitetit.
Serwer thotë se është një gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke qenë se është prioriteti kryesor i Beogradit në dialog e në ndërkohë Kosova s’përfiton asgjë.
“Të gjithë të interesuarit duhet ta rilexojnë marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ku kërkohet jo vetëm Asociacion por gjithashtu edhe njohja nga Beogradi e vlefshmërisë së Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mos interferimin në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Beogradi asnjë nga këto kërkesa nuk i ka përmbushur”, ka thënë Serwer për Express.
I pyetur nëse mendon se Kosova do ta implementojë ndonjëherë Draftin e BE-së, meqë Kurti ishte në gatishmëri të dështojë anëtarësimin në KiE dhe të mos e çojë në Kushtetuese, Serwer shprehet se s’sheh rrugë përpara për Asociacionin pa të paktën njohje de fakto të Kosovës nga Serbia.